Site icon Telegrafi

LDK: Hapja e linjës ajrore Prishtinë-Beograd, hap i rëndësishëm drejt marrëveshjes finale në mes të dyja vendeve

Pas më shumë se dy dekadave, Kosova dhe Serbia me ndërmjetësimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kanë arritur të nënshkruajnë marrëveshje për rikthimin e linjës ajrore Prishtinë-Beograd dhe anasjelltas.

Nënshkrimi i kësaj marrëveshje që u bë dje në Berlin ka ardhur në kohën kur në Kosovë nuk ka qeveri të re të dalë pas zgjedhjeve të 6 tetorit 2019.

Ndryshe kjo marrëveshje po cilësohet si një hap i rëndësishëm drejt normalizimit të marrëdhënieve në mes të dyja vendeve dhe hap para për për një marrëveshje finale mes këtyre dy shteteve.

Ish-ministri i Punëve të Jashtme, njëherësh edhe anëtari i kryesisë së LDK-së, Skender Hyseni në një prononcim për Telegrafin ka thënë se nënshkrimi i kësaj marrëveshje do ta bënte më të lehtë një marrëveshje politike në fund.

“Unë e vlerësoj si një hap të mirë në drejtim të asaj që të gjithë po e kërkojmë, normalizim të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë si dy shtete të pavarura dhe sovrane, kjo ka rëndësi. Përtej kësaj kujtoj se nëse vazhdohet në këtë drejtim një normalizim në fusha të ndryshme të karakterit ekonomik, patjetër që krejt në fund e bënë më të lehtë edhe një marrëveshje politike që patjetër nënkupton njohjen reciproke si dy shtete të pavarura midis Kosovës dhe Serbisë”, u shpreh Hyseni.

Lexo po ashtu Lufthansa hap linjë ajrore Prishtinë-Beograd

Hyseni më tej theksoi se është një hap i rëndësishëm drejt normalizimit të gjithmbarshëm midis këtyre dy vendeve që janë në fqinjësi të parë.

“E ardhmja nuk duhet të jetë ndryshe përpos normalizim i plotë midis dy vendeve, që janë në fqinjësi të parë dhe patjetër që për të vendosur një paqe dhe stabilitet të përhershëm kërkohet një normalizim, natyrisht gjithmonë brenda kornizave të ruajtjes së sovranitetit dhe integritetit shtetëror të Republikës së Kosovës”,tha Hyseni për Telegrafin.

Ish-ministri i MPJ-së, i cili së fundi së bashku me nënkryetarin Agim Veliu dhe anëtarin tjetër të kryesisë Avdullah Hoti zhvilluan një takim me të dërguarin e posaçëm të presidentit Trump për dialogun Kosovë- Serbi, Richard Grenell, shtoi se LDK-ja është gjithmonë për bashkëpunim dhe dialog, duke theksuar se nënshkrimi i kësaj marrëveshje është lajm i mirë për Kosovën.

“LDK-ja gjithnjë është për bashkëpunim dhe dialog, patjetër duke i ruajtur veçantitë e Republikës së Kosovës, pasi që Kosova është shtet i pavarur dhe ka karakter të sovranitetit të plotë dhe integritet të plotë territorial dhe në këtë rast çdo veprim dhe çdo ngjarje që e qon Kosovën drejt normalizimit dhe prosperimit ekonomik është patjetër për tu përshëndetur. Në këtë rast duhet falënderuar ambasadorin Grenell, Shtëpinë e Bardhë dhe Departamentin Amerikan të Shtetit. Është lajm i mirë për Kosovën gjithsesi”, u shpreh Hyseni.

Nënshkrimin e kësaj marrëveshje për linjë ajrore në mes Kosovës dhe Serbisë, e kanë përshëndetur presidenti i vendit, Hashim Thaçi, kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ambasadori amerikan në Berlin, Richard Grenell, e shumë të tjerë.

Lexo po ashtu Presidenti Thaçi përshëndet hapjen e linjës ajrore Prishtinë-Beograd

Madje historike nënshkrimin e kësaj marrëveshje e cilësoi edhe vetë presidenti amerikan, Donald Trump i cili përmes një postimi në Twitter shkroi se “Të gjithë thanë se nuk mund të bëhet. Por, për herë të parë në një gjeneratë, do të ketë fluturime direkete mes Serbisë dhe Kosovës. Një tjetër fitore”.

Por për këtë marrëveshje ka pasur edhe reagime të tilla që kërkojnë transparencë se cfarë lloj marrëveshje është nënshkruar. Instituti Demokratik i Kosovës, përmes një reagimi ka kërkuar më shumë transparencë nga autoritetet e Republikës së Kosovës, në lidhje me marrëveshjen që është bërë për vendosjen e linjës së fluturimeve direkte Prishtinë-Beograd. KDI ka shkruar se qytetarët janë të painformuar mbi përmbajtjen e marrëveshjes dhe procesin vendimmarrës që i ka paraprirë arritjes së marrëveshjes. /Telegrafi/

Exit mobile version