Site icon Telegrafi

LDK: Lutfi Haziri dhe Lumir Abdixhiku kandidatë për kryetar të partisë

Lidhja Demokratike e Kosovës ka konfirmuar se në takimin e kryesisë së kësaj partie sot, Lutfi Haziri dhe Lumir Abdixhiku kanë paraqitur kandidaturat për kryetar të partisë.

Në komunikatën e LDK-së thuhet se Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës sot ka mbajtur mbledhjen e radhës me qëllim të përgatitjes sa më të mirë të Kuvendit të LDK-së, përkatësisht Kuvendit për zgjedhjen e Kryetarit të LDK-së.

“Në mbledhje u dakordua për përgatitjet e nevojshme dhe të domosdoshme për mbledhjen e Kuvendit dhe në parim u konfirmuan edhe emrat e delegatëve të Kuvendit, të cilët janë konfirmuar nga secila degë e LDK-së”, thuhet në njoftim, përcjell Telegrafi.

Më tej thuhet se në mbledhjen e sotme, u paraqitën edhe dy kandidatura për Kryetar të LDK-së. Kandidaturat për Kryetar të LDK-së i paraqitën Lutfi Haziri nënkryetar i LDK-së dhe Kryetar i Gjilanit si dhe Lumir Abdixhiku, anëtar i Kryesisë së LDK-së.

Sipas njoftimit në mbledhje gjithashtu është thënë se ka edhe kandidatura tjera, që mund paraqiten ditëve në vijim.

Ndërkohë anëtari i kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, e ka konfirmuar vet kandidaturën për kryetar të LDK-së në zgjedhjet e brendshme të 14 marsit që do të mbahen nga ky subjekt politik.

Kandidaturën e tij e ka konfirmuar Abdixhiku përmes një postimi në Facebook, duke thënë se këtë vendim e ka marrë pas mbështetjes nga votuesit dhe nga anëtarët e LDK-së, të cilët ia kanë kërkuar një gjë të tillë.

Lexo po ashtu E konfirmon Abdixhiku: Po, do të jem kandidat për kryetar të LDK-së

Abdixhiku se kjo do të jetë një garë dhe nuk do të ketë marrëveshje.

“Përtej mbështetjes së votuesve që mora sërish, ditëve të fundit nga anëtarë e mbështetës të LDK-së kam marrë kërkesë për t’i prirë ndryshimit të madh. Përveç konsideratë, ky është nderim. Thirrjet më vijnë nga delegatë, veprimtarë e votues nga të gjitha qytetet e Kosovës; nga të gjitha gjeneratat e kontribuesve; nga të gjitha rajonet. Më 14 mars, do ta pranoj këtë kërkesë e këtë propozim si privilegj dhe si përgjegjësi.  Të dielën, më 14 mars, do të kandidoj për Kryetar të Lidhjes Demokratike të Kosovës”, ka shkruar Abdixhiku.

Përveç, Abdixhikut, edhe Anton Quni ka deklaruar se do të jetë kandidat për postin e kryetarit të LDK-së.

Quni e ka konfirmuar kandidaturën gjatë një interviste në njërin nga televizonet në Kosovës, teksa ka thënë se do ta rikthejë votuesin e LDK-së.

Kandidatura e tij për kryetar të LDK-së vjen pasi Isa Mustafa dha dorëheqje nga ky post pas rezultateve të dobëta në zgjedhjet e 14 shkurtit.

Sekretari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arban Abrashi pas mbledhjes së Kryesisë së partisë ka thënë se e kanë diskutuar datën 14 mars ku parashihet të mbahet Kuvendi Zgjedhor për zgjedhjen e kryetarit të ri të partisë.

Ndryshe, Statuti i LDK-së e përcakton se kandidaturat për kryetar bëhen në punimet e kuvendit. Neni 25 i statutit e parasheh që “secila kandidaturë duhet të miratohet me 50 për qind plus 1 të delegatëve të pranishëm”. Duke marr parasysh faktin se kuvendi i LDK-së ka 355 delegatë, duke përfshirë edhe kryetarin e partisë, secilit kandidatë potencialë i nevojiten 178 vota përkrahëse për të hyrë në listën e kandidatëve për kryetar. /Telegrafi/

Exit mobile version