Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga Lidhja Demokrate e Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami ka kërkuar nga Ministria e Financave që me vendim të veçantë të pezullojë aplikimin e rivlerësimit të fundit të patundshmërive në vend.
Bajrami përmes një konference për media ka thënë se në kohën e rritjes së paprecedent të çmimeve, qeveria e paaftë, siç tha ajo, ka rritur bazën tatimore të tatimit në pronë.
“Kjo ministri nuk ka marr parasysh normën e lartë të inflacionit. Kosova po përjeton inflacion, nuk ka lëvizje të pagave, të pensioneve, të të hyrave”, ka thënë ajo.
Bajrami tha se propozimi i bërë nga ministri i Financave, Hekuran Murati është amatorizëm politik si dhe shenjë e qartë e paaftësisë së tij.
“Ai nuk e ka idenë se si funksionon ekonomia. Ai nuk di që kuvendet komunale nuk falin borxhe, nuk kanë të drejtë të falin një tatim i cili derivon nga një ligj i cili është i aprovuar në Kuvendin e Kosovës. LDK kërkon nga ministria që me vendim të veçantë të pezulloj aplikimin e rivlerësimit të fundit të patundshmërive në vend dhe faturat e vitit 2023 të llogariten sipas vlerësimeve të bëra para vitit 2022. Ministria e Financave të procedoj ligjin e ri për tatim në pronë, i cili është i gatshëm në këtë ministri”, ka thënë Bajrami.
Ajo tha se me këtë ligj të ri mund të ulet pragu i tanishëm, i cili është 0.15 për qind.
“Këto kërkesa do t’i paraqesim në Komisionin për Buxhet si dhe do të paraqesim në formë të rezolutës një debat parlamentar në Kuvendin e Kosovës”, ka thënë deputetja e LDK-së.
Bajrami po ashtu tha se qeveria duhet të ndal sa më parë logjikën e varfërimit të qytetarëve vetëm për të ofruar pako të mbijetesës.
Ndërsa, nënkryetari i Komunës së Prishtinës Alban Zogaj e quajti qesharake dhe amatorizëm politik propozimin e ministrit të Financave, Hekuran Murati. /Telegrafi/