Telegrafi

LDK kërkon nga organet e drejtësisë që të luftojnë lajmet e rrejshme

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) i bën thirrje policisë dhe organeve të drejtësisë që të hetojnë dhe ndalojnë urgjentisht shpërndarjen e lajmeve të rrejshme, nëpërmes të cilave, sipas kësaj partie, po synohet që të dëmtohet LDK, kandidatët për kryetarë të komunave dhe kandidatët për asamble komunale.

Këto lajme të rrejshme, shumica të vjetra, po sponsorizohen në Google dhe po shpërndahen në internet, me qëllim që të dëmtojnë imazhin e kandidatëve tanë të cilët po prijnë në sondazhe në shumicën e komunave të Kosovës, thuhet në reagim.

Monitoruesit e LDK-së kanë evidentuar me dhjetëra lajme të rrejshme në të gjitha komunat e Kosovës, ndërsa ditët e fundit janë shpeshtuar lajmet e rrejshme kundër kryetarit të Podujevës, Agim Veliu.

Sipas LDK-së, lajme të vjetra me vite dhe disa të shkruar rishtazi nga oponentët politikë, që kritikojnë Veliun, po sponsorizohen në Google gjoja si lajme të reja, me qëllim të dëmtimit të kandidaturës së tij.

Lidhja Demokratike e Kosovës i fton anëtarësinë e vet dhe gjithë qytetarët që të mos bien pre e këtyre lajmeve të rrejshme, ndërsa fton oponentët e saj politikë, Vetëvendosjen dhe PDK-në që të heqin dorë nga lajmet e rreme dhe të ballafaqohen me projekte konkrete për qytetarët.

LDK njëherësh i bën thirrje Prokurorisë dhe Departamentit të Policisë për luftimin e krimeve kibernetike, që të jenë në nivelin e detyrës dhe t’i ndalojnë fenomenet që dëmtojnë procesin zgjedhor.