Lidhja Demokratike e Kosovës, përmes një deklarate për media ka komentuar konferencën e sotme të presidentit, Hashim Thaçi ku foli për fazën e fundit të dialogut me Serbinë.
LDK përmes kësaj deklarate ka thënë se secili krahasim i shtetit tonë me Palestinën përbën naivitet politik të rrezikshëm dhe është skajshmërisht i dëmshëm për pozicionin ndërkombëtar të Republikës së Kosovës.
“Presidenti i Kosovës, i paautorizuar për të udhëhequr dialogun me Serbinë, sot, ende pa nisur mirë ky dialog, hoqi të gjitha vijat e kuqe në tavolinën e dialogut me kontestuesit e shtetësisë sonë.
Për Lidhjen Demokratike të Kosovës, partinë që ka projektuar dhe ka themeluar shtetin e Kosovës, shtetësia e Kosovës ka marrë zgjidhje përfundimtare gjatë Procesit të Vjenës, ka marrë formë me Deklaratën e Pavarësisë dhe ka marrë legjitimitet ndërkombëtar me Deklaratën e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.
Së këndejmi, secili proces i pakushtëzuar ndaj rendit tonë kushtetues dhe secili krahasim me shtetësinë e Palestinës përbën naivitet politik të rrezikshëm dhe është skajshmërisht i dëmshëm për pozicionin ndërkombëtar të Republikës së Kosovës”, thuhet në deklaratën e LDK-së.
LDK më tej ka theksuar se është e domosdoshme që Kuvendi i Kosovës, përfaqësuesit e qytetarëve në Kuvend urgjentisht të vendosin vijë të kuqe për Presidentin që, i paautorizuar, ka marrë në dorë fatet e vendit. /Telegrafi/