Telegrafi

“LDK ka problem me liderin që e ka humbur durimin dhe është bërë mostolerant”

Publicisti dhe gazetari Baton Haxhiu, në Info Magazine të Klan Kosovës ka thënë se ka qenë gabim i madh tërheqja zvarrë e Donika Gërvallës nga Kuvendi i Lidhjes Demokratike të Kosovës.

“Është një femër që kundërshton gjithmonë dhe ka gjithmonë pakënaqësi tek vetja. Ajo nuk ka kritikë koherente dhe ka protagonizëm të panevojshëm ndonjëherë dhe shumë më shumë i kontribuon konfliktualitetit brenda LDK-së sesa e ndihmon atë. Por, mendoj që LDK ka treguar një mungesë tolerance ndaj dikujt që nuk mund të sjellë sherr – që guximin e saj e ka ndërtuar mbi heroizmin e babait”, ka thënë ai.

Haxhiu ka deklaruar se për bindjen e tij, problemi në Lidhjen Demokratike të Kosovës është tek lideri, jo tek organizmi partiak, duke ritheksuar se ka qenë e panevojshme skena e krijuar me Donika Gërvallën.

“Tek e fundit, ajo që është e pahijshme është tërheqja zvarrë e saj në Kuvendin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, që ka pasur situata shumë më të rënda më herët. Natyrisht, ajo nuk mund të heshtet me bodyguard-ë. Problemi është tek lideri i LDK-së, që ndoshta për shkak të moshës e ka humbur durimin dhe po jep një shembull të keq të mungesës së tolerancës. Nuk ka pasur arsye që askush të frikësohet nga një zë”, ka theksuar Haxhiu. “Mendoj që zonja Gërvalla nuk ka peshë, përveç për mediet. Besoj që LDK e ka problemin e liderit, jo të partisë. Ajo që po më pengon tek kjo Lidhja Demokratike e Kosovës, është që po synohet që përmes neneve të disiplinohet partia”.