Site icon Telegrafi

LDK-ja thotë se ofron “gjysmën e truallit të saj”, për Ambasadën e Shqipërisë

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, njëherësh kryetar i LDK-së, ka bërë të ditur se Qeveria e Kosovës do të kërkojë nga Komuna e Prishtinës ndarjen e truallit për ndërtimin e Ambasadës së Shqipërisë, duke ndjekur procedurat e parapara me ligj.

Në një prononcim për Koha.net, Mustafa tha se ai do të kërkojë nga Kryesia e LDK-së që të pajtohet që gjysma e truallit të saj të ndahet për ndërtimin e Ambasadës së Shqipërisë në Prishtinë.

“Sipas Ligjit, Qeveria do të kërkojë nga Komuna e Prishtinës ndarjen e truallit, kurse LDK-ja, duke marrë parasysh se kemi të bëjmë me Shqipërinë, do të pajtohet që gjysma e truallit të saj, pra 15 ari, të ndahen për ndërtimin e Ambasadës së Shqipërisë”, tha ai.

I pyetur rreth qëndrimit të asamblistëve të LDK-së në seancën kur u shqyrtua kjo çështje, kryeministri Mustafa tha se është e pakuptimtë se si drejtuesit e Komunës së Prishtinës, pa e pyetur dhe as pa e njoftuar LDK-në, kishin iniciuar procedura për ndarje të pronës së LDK-së.

“Askush dhe as drejtuesit e Komunës nuk mund të vendosin për marrje arbitrare të një prone, për të cilën është vendosur në procedura të ligjshme. Me ligj është paraparë që Qeveria iu drejtohet Komunave për ndarjen e hapësirave për përfaqësi diplomatike dhe këtë do ta bëjë në ditët në vijim”, u shpreh Mustafa.

Kryeministri theksoi se shteti shqiptar në të gjitha fazat ka treguar gatishmëri për të përkrahur institucionet e Kosovës.

“Në vitet e nëntëdhjeta, ishte qeveria shqiptare që në marrëveshje me Presidentin Rugova, Kosovës ia dha për dhjetë vite në shfrytëzim pa kompensim një hapësirë me dy ndërtesa shumë të përshtatshme në rrugën e ambasadave në Tiranë. Kurse tani, Ambasada e Kosovës shfrytëzon një ndërtesë në një pozicion po ashtu shumë të përshtatshëm në qendër të Tiranës. Marrëdhëniet me Shqipërinë janë vëllazërore dhe ato nuk ndërtohen varësisht se kush drejton qeveritë në Kosovë apo Shqipëri”, tha Mustafa.

Exit mobile version