Site icon Telegrafi

LDK-ja në kërkim të kandidatit konsensual

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) gjatë ditës së nesërme do t’i mbajë zgjedhjet për kryetar të partisë, mirëpo ende nuk e ka gjetur kandidatin konsensual për ta marrë drejtimin e subjektit më të madh politik në vend.

Ndonëse janë lakuar disa emra si kandidatë të mundshëm për kryetar, nga kjo parti ende nuk po konfirmohen as kandidaturat, shkruan sot Gazeta ‘Zëri”.

Ata kanë theksuar që gjatë ditës së nesërme në Konventën Zgjedhore kandidatët do t’i shpallin kandidaturat e tyre.

Pas mbledhjes së Kryesisë që mbajti dje kjo parti, zëdhënësi Besian Mustafa deklaroi se në këtë mbledhje janë diskutuar disa çështje, që lidhen me procesin e brendshëm zgjedhor të partisë, ndër to edhe kandidaturat.

Ai deklaroi se LDK-ja është duke punuar intensivisht për zgjedhjen e një figure unifikimi.

“Të gjitha kandidaturat shpallen më 3 gusht, konform statusit. Po punohet që të vlerësohen të gjitha kandidaturat brenda Kryesisë. Sipas kërkesave të vet anëtarësisë që të kemi një kandidat përbashkues, Kryesia si e gjithë anëtarësia e LDK-së vlerëson se është e rëndësishme që në krye të partisë të vijë një figurë përbashkuese, zgjidhje për të cilën po punohet intensivisht”, ka thënë ai.

Exit mobile version