Lidhja Demokratike e Kosovës ka vazhduar t’i rehatojë militantët partiakë nëpër pozita të rëndësishme shtetërore. E fundit është Sytrime Dervisholli, që është emëruar ushtruese e detyrës së Sekretares së Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë.
Dervisholli ka qenë kryetare e Rinisë së LDK-së gjatë vitit 2007-2009, ndërsa partia është kujdesur që edhe këtë pozitë të rëndësishme ta ketë për vete.
LDK-ja, pavarësisht diskursit që kishte më herët se do të emrojë njerëz ta pavarur dhe profesionist, nuk po mund të ik nga njerëzit e partisë.
Telegrafi merr vesh se LDK-ja ka për qëllim që Dervishollin ta bëjë Sekretare të Përhershme.
E kontaktuar nga Telegrafi, Dervisholli ka konfirmuar se më 9 qershor është emëruar ushtruese e detyrës së sekretares në MTI.
Ajo ka thënë se do të qëndrojë në këtë pozitë derisa të merret një vendim tjetër. Dervisholli nuk e ka mohuar që mund të konkurrojë që të mbetet në këtë pozitë.
“Njëherë jam përkohësisht pastaj duhet të ndjek procedurat e rekrutimit dhe aty është konkurs i hapur. Pra mund të aplikojnë të gjithë ata që e shohin veten si kandidat potencial”, ka thënë Dervisholli.
Mirëpo në faqen zyrtare të MTI-së, si u.d i Sekretarit të Përgjithshëm ende figuron emri i Rexhep Bllacës. MTI-ja e ka larguar nga detyra ish sekretaren Eljana Naka, që ishte në kohën e Mimoza Kusarit.
Mirëpo, Nakës i ka dhënë të drejtë KPMShCK, duke e kthyer në vendin e njëjtë të punës që ishte, duke e hedhur poshtë vendimin e ministres së tanishme, Hykemete Bajrami.
Në vendimin e KPMShCK-së, thuhet se ankesa e Eljana Nakës, aprovohet. Ndërsa, shpallet akt absolutisht i pavlefshëm vendimi i Komisionit Disiplinor, në bazë të të cilit Nakës i ishte mohuar mundësia që të vazhdonte të mbante postin e Sekretares së Përgjithshme. /Telegrafi/