Site icon Telegrafi

LDK: Haradinaj nuk ka të drejtë të arsyetojë sulmin ndaj shtëpisë së kryeministrit

Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar për gjuhën e përdorur nga lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, gjatë një emisioni televiziv mbrëmë, duke thekson se askush nuk ka të drejtë të arsyetojë veprime e sulme të tilla në shtëpi private dhe në familje.

Haradinaj ndër të tjera mbrëmë ka thënë se “nuk mundet Isa Mustafa të thotë se po ma ngucin shtëpinë, kur ai po ma nguc shtetin. Bashkësia e komunave serbe po ma nguc shtetin, për të cilin kemi luftuar dhe vdekur”, transmeton Koha.net.

Kurse LDK thotë se Haradinaj, nuk mund ta konsiderojë Kosovën vetëm të tijën duke justifikuar sulmet ne bomba molotovi në shtëpinë dhe familjen e kryeministrit, duke u thirrur në kauza krejtësisht fiktive.

“Sulmet në familje dhe shtëpi private janë ligësi dhe vepra kriminale, nga të cilat duhet të hiqet dorë dhe të distancohen të gjithë”, thuhet në reagimin e LDK-së.

Haradinaj, sipas LDK-së, nuk mund ta shfrytëzojë marrëveshjen për Asociacionin si argument për të justifikuar atakimet e shtëpive private.

“Këtë marrëveshje e ka votuar AAK-ja dhe është bashkëshkruar nga nënkryetari i parë i AAK-së. Sa i përket demarkacionit, edhe kjo çështje do të zbardhet shpejt nga komisioni ndërkombëtar”, përfundon reagimi i LDK-së.

Exit mobile version