Site icon Telegrafi

LDK me grup punues për platformën e dialogut

Sipas një njoftimi të Lidhjes Demokratike të Kosovës, pas takimit të kryetarit Isa Mustafa me Grupin Parlamentar, me ç’rast u diskutua për gjetjen e një rruge të përbashkët për rrëzimin e qeverisë, është takuar kryesia e LDK-së.

Po sipas njoftimit, çështja e dialogut mbetet temë kryesore e kryesisë së LDK-së, me ç’rast u formua një grup punues për Platformën e dialogut, e cila jep korniza të qarta se si duhet të vazhdohet me dialog.

“Po ashtu gjatë takimit të kryesisë u formua edhe një grup punues i cili do të punoj rreth platformës zgjedhore. LDK-ja mbetet e përkushtuar që vendi të shkoj sa më shpejt në zgjedhje dhe të përmbushen të gjitha interesat e qytetarëve të Kosovës”, thuhet në njoftimin e LDK-së.

Ndërkohë, nënkryetari i LDK-së, Agim Veliu ka thënë se LDK nuk e përkrah protestën e thirrur nga Lëvizja Vetëvendosje për këtë të shtunë më 29 shtator.

Veliu ka thënë se LDK konsideron se nuk është momenti i duhur për protesta.

Gjithashtu, pas mbledhjes së Grupit Parlamentar të LDK-së ka thënë se kryesia e këtij subjekti është në përgatitje të një mocioni për rrëzimin e Qeverisë. /Telegrafi/

Exit mobile version