Site icon Telegrafi

LDK ende nuk ka dhënë nënshkrimet për ta çuar shkarkimin e Dakës në Kushtetuese

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të PDK-së, Enver Hoxhaj, ka njoftuar se opozita ka mbledhur nënshkrimet për ta dërguar në Kushtetuese vendimin për shkarkimin e Valdete Dakës nga pozita e kryesueses së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Mirëpo një gjë e tillë duket se është ende në proces.

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi ka deklaruar se kjo parti ende nuk ka dhënë nënshkrimet e kërkuara nga PDK.

“Jo nuk i kemi dhënë ende. Po e presim Avokatin e Popullit”, ka deklaruar Gashi.

Nga AAK tashmë kanë deklaruar se kanë dhënë nënshkrimet për të dërguar në Kushtetuese.

Zyrtari i AAK-së Selim Selimi madje ka thënë se Lidhja Demokratike e Kosovës duhet të jap nënshkrimet për të dërguar në Gjykatën Kushtetuese, vendimin për shkarkim të Valdete Dakës nga pozita e kryetares së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

“Lumiri duhet të japë nënshkrimet për referim të çështjes Daka në Kushtetuese e Presidentja nuk duhet ta bllokojë nëse beson fuqishëm se ka vepruar sipas kushtetutës. Le të vendos arbitri kulmor, Gjykata Kushtetuese”, ka shkruar Selimi në Facebook./Telegrafi/

Exit mobile version