Site icon Telegrafi

LDK e quan të papërgjegjshme Qeverinë për veprimet në veri, kritikon Osmanin për takimin e sotëm

Foto: Arkiv

Lidhja Demokratike e Kosovës përmes një njoftimi për media bëri të ditur se dje i dha mbështetje institucioneve të Republikës së Kosovës në lidhje me shtrirjen e ligjshmërisë në gjithë territorin e vendit.

“Dënuam sulmin ndaj Policisë së Kosovës që po ushtronte mandatin e saj kushtetues. Kërkuam koordinim me bashkësinë ndërkombëtare dhe theksuam që Kosovës në këto momente i duhen më së shumti siguria dhe qetësia. Nga dështimi i mbrëmshëm, kuptuam që institucionet nuk janë koordinuar me askënd dhe se nuk kanë qenë të përgatitura për situatën e djeshme”, thuhet në njoftim.

LDK ka kritikuar edhe takimin e ftuar nga presidentja Vjosa Osmani, takim ky i cili u bojkotua nga opozita.

Lexo po ashtu Zhvillimet në veri, Osmani takon Kurtin e Konjufcën – opozita bojkoton takimin

“Ndërsa sot, pas dështimit, Presidentja ftoi në takim partitë opozitare me Qeverinë. Për çfarë? Për të mbuluar dështimin dhe papërgjegjësinë? Opozita duhet të konsultohet dhe të dëgjohet para se të ndërmerren veprimet. Opozita mund të ndihmojë Qeverinë që të mos gabojë, por nuk mund të marrë përsipër dështimet e saj”, thuhet në njoftimin e LDK-së.

LDK tutje shton se e mbështesin vendosjen e reciprocitetit, si masë e drejtë e çdo shteti sovran.

“Në të njëjtën kohë, koordinimi me aleatët tanë është kërkesë e përhershme e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Ky koordinim është kushti i vetëm i suksesit”, thuhet në fund të njoftimit. /Telegrafi/

Exit mobile version