Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), ka reaguar pas vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) për anulimin e votave me postë në garën e balotazhit për kryetar të Komunës së Dragashit.
LDK thotë se vendimi i PZAP-it është skandaloz, transmeton Telegrafi.
“Të dashur qytetarë, sot, PZAP mori vendim skandaloz e të paprecedentë në sistemin zgjedhor të Kosovës. Anulojë të gjitha votat e mërgatës – të gjitha pa përjashtim – në rastin e Dragashit. Me këtë vendim, si asnjëherë më parë, duke i anuluar në bllok votat e njerëzve tanë, PZAP tenton të ndryshojë vullnetin qytetar”, thuhet në reagim.
Lidhja Demokratike e Kosovës, vlerëson se “gjithë procesi i regjistrimit dhe votimit të qytetarëve tanë nga jashtë vendit, bazuar edhe në vendimet e KQZ-së, është zhvilluar brenda afateve dhe në përputhje të plotë me dispozitat ligjore dhe rregullat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve”.
“Prandaj, ky proces, procesi i votimit përmes postës, nuk është kontestuar në asnjë fazë të zhvillimit të tij nga askush dhe është vlerësuar plotësisht i ligjshëm edhe nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i cili ka proceduar me pranimin, verifikimin dhe numërimin e këtyre votave në përputhje me procedurat e parapara ligjore. Kujtojmë se të njëjtat vota ishin pranuar e certifikuar në raund të parë”.
Më tej, LDK thotë se do të ankohet në Gjykatën Supreme për vendimin e PZAP-it.
“Mbi të gjitha, në këtë transformim të vullnetit qytetar, PZAP nuk ka marrë as mundin e as përpjekjen për t’i kontaktuar qytetarët tanë në mërgatë. LDK do të ankohet në Supreme e në rast të nevojës dhe në Kushtetuese. Betejat politike të fituara me votë s’mund të transferohen në tavolinë. Duam të besojmë se Supremja do të korrigjoj këtë skandal të ri në vend”.
Ndryshe, PZAP ka aprovuar ankesën e kandidatit të PDK-së, për kryetar të Dragashit, Shaban Shabani, dhe ka anuluar të gjitha fletëvotimet e dorëzuara përmes postës për rundin e dytë të zgjedhjeve lokale për kryetar të kësaj komune. /Telegrafi/