Site icon Telegrafi

LDK e Prishtinës: Vendimi për projektin e autobusëve është dashur të bëhet para një viti

Grupi i asamblistëve të LDK-së nëpërmjet një komunikate për media konsideron se aprovimi i vendimit se Komuna e Prishtinës zotohet që të marrë përsipër kthimin e borxhit, nëse “Trafik Urban” dështon t’i kthejë kredinë BERZH-it” ishte vendim që do të duhej të merrej para një viti, po ta sillte si propozim kryetari i Prishtinës.

“Këtë kërkesë, grupi i LDK-së e ka përmendur tash e një vit më parë, e sidomos nga 16 shkurti 2015, kur Ministria e Financave kërkoi që të procedohet me një kërkesë të tillë për aprovim në Kuvendin e Prishtinës sipas Ligjit për borxhet publike”, thuhet në komunikatën e LDK-së nënshkruar nga asamblisti Flamur Shala.

Grupi konsideron se bllokuesi kryesor i procedimit administrativ të projektit të autobusëve është Vetëvendosje dhe kryetari Shpend Ahmeti, sepse “ai e humbi, apo s’deshi asnjëherë të procedojë që vendimin e sotëm Kuvendi ta merrte edhe para një viti po ta sillte para tij një propozim të tillë”.

“Sot, është grupi i LDK-së, që doli me propozim për futjen në rend dite aprovimin e këtij vendimi”, thuhet në komunikatë.

Grupi konsideron se Kuvendi i Prishtinës e kreu një detyrë ligjore të cilën do ta bënte edhe para një viti, pasi ta kishte bërë një kërkesë të tillë për aprovim nga Kuvendi i kryeqytetit. /Telegrafi/

Exit mobile version