Grupi i LDK-së në Kuvendin e Prishtinës ka reaguar lidhur me deklaratat e udhëheqësve të Prishtinës, për shkak të dështimit të mbledhjes së sotme të Kuvendit Komunal.
LDK përmes një njoftimi ka konsideruar se reagimet e udhëheqjes së Prishtinës lidhur me mbledhjen e sotme të jashtëligjshme, janë përpjekje për të mbuluar dështimet politike të njëpasnjëshme të dy viteve të kaluara, të stërmbushura me “kauza”.
“VV dhe udhëheqja dështuese e saj tani e sa kohë, e mbetur pa “kauza” të reja, po bën përpjekje me çdo kusht që të hapë debat dhe “front ri”, kësaj radhe me diçka që kalon kufijtë e Republikës së Kosovës.
Kërkesa e udhëheqjes së Komunës që me vendim të Kuvendit të Prishtinës, sot të merret lokacioni për ndërtimin e objektit të Selisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, të caktuar vite më parë dhe e pajisur me leje ndërtimi, është kërkesa më perverse dhe e shëmtuar e një udhëheqjeje”, thuhet në reagimin e LDK-së.
Më tej ata kanë theksuar se fatkeqësisht, konceptimi i këtillë qeverisës nga VV dhe udhëheqja e Prishtinës që me politika përçarëse të arrijë të implikojë ambasada e ambasador, tregon për gjendjen kaotike, për shmangien nga të gjitha kriteret dhe parimet e sjelljes ndaj rivalëve politikë, kundër bashkëpunimit dhe kundër etikës politike e njerëzore.
“LDK në Prishtinë konsideron se turpi i Shpend Ahmetit nuk do t’i bjerë askujt, pos atyre që ndjellin përçarje, përjashtime dhe bëhen argat të politikave dështuese”, thuhet në fund të reagimit./Telegrafi/