Site icon Telegrafi

LDK e gatshme edhe për zgjedhje (Video)

Bojkoti i opozitës nuk është zgjidhje. Kuvendi është vendi ku duhet debatuar për secilën temë dhe se Kosova nuk e ka komoditetin të merret me këto gjëra.

Kështu është shprehur kryetari i komunës së Ferizajt, njëherësh edhe anëtar i LDK-së, Muharrem Sfarqa në emisionin “Kontakt” në Tribuna Channel.

“Forca e një partie politike matet me forcën në Kuvend, jo me metoda jo legjitime të vihet në pushtet”, ka thënë Sfarqa.

Me legjitimitetin që është krijuar nga LDK sipas Sfarqës ajo është e gatshme të shkoj në zgjedhje, kurdo që mbahen ato.

“LDK asnjëherë në historinë e saj nuk ka provokuar zgjedhje. Por mendoj që LDK-ja në secilën variant e ka rritjen substanciale”, ka thënë ai, duke shtuar se nuk është momenti për qytetarët të shkohet në zgjedhje dhe se LDK-ja vazhdimisht i sheh zgjedhjet atëherë kur i sheh Kushtetuta.

Sfarqa ka folur edhe për koalicionin LDK-PDK.

“Ky koalicion është i nevojshëm për shtetin. Është zgjidhja më e pranueshme në të cilën ka kaluar shteti i Kosovës. Është edhe interes i partnerëve tanë ndërkombëtar që të funksionoj ky koalicion”, ka deklaruar ndër të tjera Sfarqa në “Kontakt”.

Ai nuk ka dashur të merret me deklaratën e nënkryetarit të LDK-së, Lutfi Haziri, i cili pak ditë më parë tha se dallimet mes LDK-së dhe PDK-së janë si dita me natën, duke thënë se LDK është parti e ditës ndërsa PDK parti e natës.

“Nuk dua të merrem me atë deklaratë por besoj se nuk është serioze”, ka thënë Sfarqa.

Exit mobile version