Shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi tha para medieve se ka bërë kërkesën për seancë të jashtëzakonshme për zgjedhjen e qeverisë së re.
Gashi tha se këtë e ka bërë në emër të grupit parlamentar dhe të deputetëve të cilët e kanë nënshkruar këtë kërkesë, që sipas tij janë 61 deputetë nënshkrues të kësaj kërkese.
“Para orës 16:00 kam dorëzuar në emër të Lidhjes Demokratike dhe deputetëve përkrahës kërkesën për seancë të jashtëzakonshme për të shtunën në ora 13:00, ku pikë e rendit të ditës do të jetë zgjedhja e qeverisë”, tha Gashi.
“I kemi, kërkesa për seancë të jashtëzakonshme është bërë me 61 nënshkrime. Më shumë i kemi por kërkesa është bërë me 61 nënshkrime për seancë”, tha ai.
I pyetur për dërgimin e dekretit për mandatar nga Lëvizja Vetëvendosje në Gjykatën Kushtetuese, Gashi tha se është e drejtë e saj për gjitha veprimet që i ndërmerre.
“Është e drejtë e LVV-së që të ndërmarrë veprimet e veta”, tha ai.
Gjatë ditës, presidenti Hashim Thaçi dekretoi mandatarin për kryeministër nga LDK-ja, Avdullah Hoti./Telegrafi/