Telegrafi

LDK dhe Vetëvendosje, bllok të përbashkët opozitar

 

Në kumtesën e lëshuar nga VV thuhet se takimi i tretë mes kreut të Vetëvendosjes, Albin Kurti dhe atij të LDK-së, Isa Mustafa është zhvilluar në zyrën e LDK-së.

Sipas VV-së, ky takim është zhvilluar në kuadër të angazhimeve për bashkërendim strategjik të opozitës në Kuvendin e Republikës i cili po shpërfillet nga Qeveria e Kosovës.

“Duke pasur parasysh dëmtimin e përshpejtuar të shtetit dhe territorit, ekonomisë dhe pasurisë së Kosovës nga Qeveria aktuale, në këtë takim, Lëvizja VETËVENDOSJE! paraqiti propozimin për një bllok opozitar. Qëllimi i tij do të ishin zgjedhjet e parakohshme parlamentare duke dinamizuar opozitën në muajt në vijim përmes disa komisioneve hetimore parlamentare e seancave të jashtëzakonshme në Kuvend si dhe bashkëpunimit për parandalimin e privatizimit të PTK-së”, thuhet në kumtesën e VV-së.

“Po ashtu, dialogu politik Kosovë-Serbi në Bruksel i cili po zhvillohet pa transparencë, me marrëveshje të pashkruara dhe duke shkelur edhe Rezolutën e Kuvendit të Kosovës të 18 tetorit 2012, tash po rezulton me marrëveshjen Thaçi-Daçiq që duket qartë se do të jetë në kundërshtim me vullnetin e popullit, interesin dhe rregullimin e brendshëm të shtetit, barazinë e reciprocitetin. Prandaj, blloku i tillë opozitar do të duhej të deklarohet e angazhohet për ndaljen e këtij dialogu politik”, thuhet në kumtesë. 

“Pati shumë konstatime të përbashkëta, por nuk mund të themi se kërkesat e Lëvizjes Vetëvendosje! hasën në mirëkuptimin e udhëheqjes së LDK-së. Veprimet e koordinuara në vijim në Kuvendin e Kosovës mbeten të zhvillohen sikurse gjer më tani, përmes konsultimeve ndërmjet kryetarëve të grupeve parlamentare Beqiri e Ymeri”, thuhet në kumtesën e VV-së nga takimi i sotëm. 

Në takimin e zhvilluar sot, përveç Kryetarit të LDK-së, sa Mustafa, ishin të pranishëm edhe nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Sabri Hamiti dhe kryetari i Grupit Parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri, ndërkaq, nga Lëvizja Vetëvendosje merrnin pjesë kryetari Albin Kurti, nënkryetari i parë Shpend Ahmeti, nënkryetarja e dytë  Aida Dërguti dhe Kryetari i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri. /Telegrafi/

 

——————————————

Takohen sërish Mustafa e Kurti 

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, akademik Isa Mustafa është takuar të hënën liderin e Lëvizjes “Vetëvendosje”, Albin Kurti. Të dy liderët e këtyre subjekteve politike u pajtuan që grupet parlamentare të shikojnë mundësinë për të bashkëpunuar në Kuvendin e Kosovës, në çështjet në të cilat këto dy subjekte kanë qëndrime të përafërta.

Sipas kumtesës së LDK-së, në këtë takim është biseduar lidhur me dialogun që po zhvillon Qeveria e Republikës së Kosovës me Qeverinë e Serbisë, për zhvillimet e tjera politike në vend, si dhe për mundësinë e bashkërenditjes së veprimeve të subjekteve opozitare në Kuvendin e Republikës së Kosovës lidhur me çështje të caktuara. /Telegrafi/