Site icon Telegrafi

LDK dhe PDK braktisin mbledhjen e Asamblesë së Prishtinës

Mbledhja e sotme e asamblesë komunale të Prishtinës është ndërprerë ende pa nisur mirë meqë këshilltarët e LDK-së, grupit më të madh të përfaqësuar në asamble, janë larguar nga salla.

Ata kanë konsideruar se pesë nga dhjetë pikat e rendit të ditës kanë ardhur në seancë “në mënyrë të paligjshme”, para se të shkojnë në Komitetin për Politikë dhe Financa të komunës.

Bashkë me grupin e asamblistëve, mbledhjen e ka braktisur edhe kryetari i asamblesë komunale, Halim Halimi i cili vjen nga LDK.

Mbledhja është braktisur edhe nga asamblistët e PDK-së, ndërsa në cilësinë e drejtuesit të mbledhjes, këshilltari më i vjetër i asamblesë Feti Mehdiu ka thirrur një pauzë 15 minutëshe.

Në rendin e ditës në këtë mbledhje është dashur të diskutohet Propozimvendimi për lënie në dispozicion për diskutim publik të Propozimplanit rregullues të hollësishëm “Kalabria” në Prishtinë; Rishqyrtimi i Vendimit për lënie në dispozicion për shqyrtim publik të Propozimplanit rregullues të hollësishëm të lagjes “Kodra e Trimave 1” në Prishtinë; Rishqyrtimi i Vendimit për lënie në dispozicion për shqyrtim publik të Propozimplanit rregullues të hollësishëm të lagjes “Mati 2” në Prishtinë; Rishqyrtimi i Vendimit për miratimin e Planit rregullues të hollësishëm “Sofalia” në Prishtinë 2016-2024; Propozimvendimi për fillimin e hartimit të Planit rregullues të hollësishëm për blloqet: B 17, B 18, B 19 dhe B 20, të lagjes “Mati 1” në Prishtinë 2016-2024; Propozimvendimi për dhënien në shfrytëzim të pronës së paluajtshme komunale Ambasadës çeke si dhe Informatë mbi menaxhimin e hapësirave publike dhe parqeve.

Exit mobile version