Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë arritur marrëveshje për bashkëqeverisje.
Këtë e konfirmoi kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj pas takimit që pati me kryetarin e LDK-së, Isa Mustafa dhe kandidatin për kryeministër, Avdullah Hoti.
“Arritëm marrëveshje për koalicionin qeverisës, pra për krijimin e qeverisë së re. Kosovën e presin plot sfida, e sfida e parë është gjendja me pandeminë, me të gjitha këto pasoja që ka shkaktuar, sidomos ekonomisë së vendit. Jemi të vetëdijshëm që nuk do të jetë e lehtë por kemi besim se të gjitha këto sfida që e presin Kosovën do t’i kalojmë bashkë me punë”, tha ai.
Haradinaj njoftoi se partia e tij do t’i udhëheqë katër ministri në Qeverinë e ardhshme, transmeton Telegrafi.
“Kemi zëvendëskryeministër Besnik Tahirin, Ministrinë e Punëve të Jashtme do ta udhëheq Meliza Haradinaj, Ministrinë e Drejtësisë do ta udhëheq Selim Selim, Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik do ta udhëheq Blerim Kuçii, dhe Ministrinë e Arsimit, Ramë Lika”, tha ai.
Ai tha se në këtë qeveri është në përgjegjësinë e mandatarit me e finalizua marrëveshjet me partitë politike, por tha se me sa është dijeni janë përmbyll të gjitha aspektet një marrëveshje të koalicionit.
“Çdo gjë është e gatshme për seancë ta zëmë nesër ose për një ditë tjetër, se ditën nuk e di po mendoj se çdo gjë është e gatshme”, tha ai.
Haradinaj tha se nuk mund ta precizoj numrin e zëvendësministrave, por sipas tij është një orientim bazë që të ruhet madhësia ekzistuese e qeverisë.
Duke folur për kërkesat e AAK-së për ndërtimin e autostradës, kreu i AAK-së tha se kanë biseduar për projektet kapitale të vendit, por sipas tij zbatimi i tyre në këtë vit është i pamundur për shkak të rrethanave, pasi prioritet do të ketë rimëkëmbja ekonomike.
Ai tha se për çështjen e demarkacionit me Malin e Zi kanë rënë dakord që të respektohet vendimi i Kuvendit, raporti i Komisionit dhe letrat e dy presidentëve. /Telegrafi/