Gjykata Kushtetuese sot ka publikuar aktgjykimin për Ligjin lidhur me masat e përkohshme të produkteve themelore në raste të veçanta të destabilizimit në treg, ligj ky që ishte dërguar në Kushtetuese nga 10 deputetë të Lidhjes Demokratike e Kosovës (LDK).
Sipas njoftimit thuhet se Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka publikuar aktgjykimin në rastin KO 173/22, me parashtrues Arben Gashi dhe 9 (nëntë) deputetë të tjerë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, të parashtruar në Gjykatë bazuar në përcaktimet e paragrafit 5 të nenit 113 [Jurisdiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, lidhur me vlerësimin e kushtetutshmërisë së Ligjit nr. 08/L-179 për Masat e Përkohshme të Produkteve Themelore në Raste të Veçanta të Destabilizimit në Treg.
“Gjykata ka vendosur (i) njëzëri të shpallë kërkesën e pranueshme; (ii) të konstatojë, me shtatë (7) vota për dhe një (1) kundër, se paragrafët 2 dhe 4 të nenit 4 (Produktet Themelore), paragrafi 2 i nenit 5 (Masat e përkohshme mbrojtëse), paragrafët 1, 2, 3, 4, 5, 6 dhe 9 të nenit 8 (Vendimmarrja) dhe paragrafi 2 i nenit 9 (Mbikëqyrja dhe sanksionet) të Ligjit nr. 08/L-179 për Masat e Përkohshme të Produkteve Themelore në Raste të Veçanta të Destabilizimit në Treg, nuk janë në përputhshmëri me paragrafin 1 të nenit 7 [Vlerat], nenin 10 [Ekonomia] dhe paragrafin 5 të nenit 119 [Parimet e Përgjithshme] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës; (iii) të konstatojë, me shtatë (7) vota për dhe një (1) kundër, se neni 10 (Hyrja në fuqi) i Ligjit nr. 08/L-179 për Masat e Përkohshme të Produkteve Themelore në Raste të Veçanta të Destabilizimit në Treg, nuk është në përputhshmëri me paragrafin 1 të nenit 7 [Vlerat] dhe paragrafin 1 të nenit 119 [Parimet e Përgjithshme] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës; (iv) të shpallë të pavlefshëm, me shtatë (7) vota për dhe një (1) kundër, në tërësinë e tij, Ligjin nr. 08/L-179 për Masat e Përkohshme të Produkteve Themelore në Raste të Veçanta të Destabilizimit në Treg; dhe (iv) të refuzojë, njëzëri, kërkesën për masën e përkohshme”, thuhet në njoftim.
Aktgjykimin e plotë mund ta lexoni në dokumentin e mëposhtëm: