Lidhja Demokratike e Kosovës dënoi ashpër djegien e veturës së shefit të Grupit Parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri.
LDK thekson se ky veprim i ulët kriminal, është sulm i drejtuar kundër institucioneve, përfaqësuesve legjitimë dhe kundër funksionimit demokratik të Republikës së Kosovës.
“I ndodhur në vazhdën e sulmeve kriminale që kanë ndodhur së fundi brenda dhe jashtë institucioneve, edhe ky akt ka për synim zhytjen e vendit në kaos dhe anarki për përfitime politike të subjekteve të caktuara me agjenda të qarta antiperëndimore”, thekson LDK.
Lidhja Demokratike e Kosovës ftoi organet kompetente që të zbardhin rrethanat e kësaj ngjarjeje kriminale me prapavijë të qartë politike dhe antishtetërore, si dhe fton partitë politike që muajt e fundit kanë futur në jetën politike gjuhën e molotovëve dhe të gazrave helmuese e veprimet e tjera të dhunshme, që të braktisin këtë rrugë të neveritshme, e cila cenon interesat madhore të qytetarëve dhe themelet e Republikës së Kosovës.
“Lidhja Demokratike e Kosovës rithekson vendosmërinë e saj të palëkundur për të vazhduar rrugën tradicionale në mbrojtje të Republikës dhe institucioneve të saj, pa marrë parasysh veprimet e dhunshme dhe kërcënimet e njerëzve me agjenda dhe kauza rrënuese dhe antiperëndimore”, thuhet në reagim.
LDK thekson se Republika e Kosovës do të ecë përpara në rrugën euroatlantike të vlerave demokratike perëndimore, me besimin e plotë të qytetarëve të saj dhe në partneritet të përhershëm me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me vendet e tjera mike, përkundër përpjekjeve të dështuara të anarkistëve dhe grupeve parapolitike rreth tyre. /Telegrafi/