Lidhja Demokratike e Kosovës dënon ashpër djegien e mbrëmshme të makinave shtetërore në disa qytete të Kosovës.
LDK-ja nëpërmes një komunikate për medie shprehet thellësisht e brengosur për këto vepra kriminale, të cilat janë akte në vazhdën e veprimeve të dhunshme që persona dhe grupe të caktuara po kryejnë mbi institucionet, pronat private e publike dhe mbi përfaqësuesit legjitim të vendit.
“LDK-ja kërkon nga organet e rendit dhe të drejtësisë, që në përputhje të plotë me autorizimet e tyre ligjore, të zbulojnë nxitësit dhe zbatuesit e këtyre akteve, që po cenojnë rendin kushtetues dhe po tentojnë të zhysin vendin në kaos e anarki, me qëllim të përfitimeve personale e grupore”, thuhet në njoftimin e LDK-së.
Duke pasur parasysh zbulimin dhe arrestimin nga organet kompetente të individëve, sipas Lidhjes Demokratie të Kosovës, për të cilët ka dyshime të bazuara se kanë sulmuar me bomba molotovi shtëpitë familjare dhe makinat e zyrtarëve të institucioneve, të cilët rezultojnë të jenë aktivistë të një subjekti politik, LDK-ja i bën thirrje të gjitha subjekteve politike që të distancohen nga këta individë dhe të dënojnë aktet e një nate më parë.
“Lidhja Demokratike e Kosovës konsideron se dhuna dhe djegiet nuk mund të jenë mjete për realizimin e synimeve politike në një shoqëri demokratike. Duke ftuar të gjitha subjektet politike për dialog dhe bashkëpunim institucional për avancimin e kauzave reale të qytetarëve të vendit, LDK-ja shpreh vendosmërinë e saj për të punuar me përkushtim në fuqizimin e gjithanshëm të proceseve demokratike dhe euroatlantike, në miqësi të përhershme me SHBA-të dhe vendet e tjera mike”, përfundon komunikata e LDK-së.