Telegrafi

LDK, Demaçit: Tahir Zemaj është hero, do ta nderojmë gjithmonë

Sipas LDK-së, deklaratat e tilla fyejnë rëndë familjen Zemaj, bashkëluftëtarët e Tahir Zemajt dhe qytetarët e Kosovës.

“Lidhja Demokratike e Kosovës konsideron se është detyrë e çdo qytetari të Kosovës që ta nderojë veprën e madhe të heronjve tanë. Heroi i Kosovës, kolonel Tahir Zemaj, ka qenë një nga drejtuesit kryesorë të luftës në Kosovë, një nga profesionistët që kanë drejtuar dhe kanë fituar beteja”, thuhet në reagimin e LDK-së.

LDK shprehet se do të nderojë përherë veprën e madhe të kolonel Zemajt dhe të bashkëluftëtarëve të tij në shërbim të lirisë së Kosovës.

“Lidhja Demokratike e Kosovës, kolonel Tahir Zemajn e ka njohur në periudhat më të rënda të vendit tonë si njeri të sakrificës, i gatshëm të luftojë për çlirimin e vendit, me autoritet dhe i respektuar nga bashkëluftëtarët dhe qytetarët e Kosovës, dhe si i tillë ai është simbol i lirisë dhe pavarësisë së Kosovës”, thuhet në reagim. /Telegrafi/