Telegrafi

LDK: Delegacioni kosovar, që do të shkojë në Bruksel, nuk përfaqëson interesat e qytetarëve të Kosovës

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka vazhduar të kontestojë legjitimitetin e delegacionit të Kosovës, i cili të mërkurën do të qëndrojë në Bruksel,  në takimin e radhës në kuadër të fazës së fundit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

LDK, përmes një kumtese, vlerëson se drejtuesit e institucioneve aktuale dhe individët e tjerë të infiltruar në pushtet për kusure politike, të cilët pritet të udhëtojnë në Bruksel, nuk kanë autoritet, nuk kanë legjitimitet dhe as mbështetje popullore që ta përfaqësojnë Republikën e Kosovës në dialogun me Serbinë.

“LDK konsideron se ky grup njerëzish të cilët i lidh vetëm mbetja në pushtet, e të cilët nuk përfaqësojnë më shumë se 40 % të qytetarëve, nuk i bëjnë nder dhe nuk mund të flasin e të marrin vendime në emër të qytetarëve të Kosovës, duke mos pasur mbështetjen e Kuvendit të Republikës së Kosovës”, thuhet në kumtesë, njofton Telegrafi.

“LDK konsideron se vetëm zgjedhjet e reja nacionale mund të prodhojnë institucione legjitime për të quar përpara të gjitha proceset e rëndësishme për shtetin si dhe për të ndaluar degradimin e plotë institucional, politik e ekonomik që e ka pllakosur Kosovën”.

“Lidhja Demokratike e Kosovës mbështet procesin e dialogut të ndërmjetësuar nga BE dhe SHBA për normalizimin e relacioneve mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë. Por, ky proces, mund të qohet përpara vetëm nga institucionet legjitime të dala nga zgjedhjet e reja, të lira dhe demokratike, si dhe me një konsensus të gjerë institucional, politik e shoqëror”, thuhet në kumtesë. /Telegrafi/