Telegrafi

LDK bojkoton RTK-në, kërkon dorëheqjen e drejtorit Gërvalla

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka reaguar pas zgjedhjes së Rilind Gërvallës në pozitën e drejtorit të TV publik, RTK.

Nga zyra  e informimit të kësaj partie, përmes një komunikate për media bëhet e ditur që LDK-ja nuk do të marrë pjesë në asnjë emision, apo format që organizohet nga ky transmetues.

Sipas komunikatës thuhet se përzgjedhja e një aktivisti politik në krye të kanaleve shqip në RTK është kapje e plotë e këtij institucioni publik.

Lexo po ashtu Rilind Gërvalla zgjidhet drejtor i RTK-së

Lexoni më poshtë të plotë reagimin e LDK-së:

“LDK konsideron se përzgjedhja e një aktivisti politik në krye të kanaleve shqip në RTK është kapje e plotë e këtij institucioni publik i cili po shndërrohet në mjet propagande për pushtetin. LDK ka reaguar rreth kësaj përzgjedhje dhe deri në anulimin e këtij procesi me të gjitha strukturat e saj udhëheqëse do ta bojkotojë prezencën në këtë kanal publik.

LDK po ashtu i bën thirrje të gjithë akterëve të tjerë, subjekteve politike e organizatave vendore e ndërkombëtare si dhe figurave të pavarura që të ndjekin një hap të tillë. LDK solidarizohet me gazetarët dhe të gjithë punëtorët që kanë punuar shumë dhe kanë informuar të gjithë qytetarët tanë drejtë dhe në mënyrë të pavarur.

Qytetarët e Kosovës meritojnë një televizion publik të pavarur. Prandaj, LDK edhe njëherë kërkon anulimin e menjëhershëm të përzgjedhjes në fjalë, dhe derisa sa kjo të ndodhë, LDK-ja nuk do të marrë pjesë në asnjë emision, apo format që organizohet nga ky transmetues.

Ndryshe, Bordi i Radio Televizionit Publik të Kosovës të martën ka miratuar rekomandimin e drejtorit të përgjithshëm të RTK-së, për emërimin e Rilind Gërvalla në pozitën e drejtorit të TV publik.

Ndërkaq, për emërimin e drejtorit të ri të RTK-së patën reaguar edhe nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), të cilët thanë se kapja dhe nënshtrimi i RTK-së nën direktivën e pushtetit, është një hap më tutje kundër fjalës së lirë dhe lirisë së mediave në Kosovë.

Kundër emërimit të Gërvallës reaguan edhe nga Partia Socialdemokrate (PSD). Dy aktivistë të PSD-së kishin hyrë në studion e  RTK-së, në fillim të edicionit të lajmeve qendrore, dhe në shenjë proteste kishin shkruar “Radio Telelevizioni i Kurtit”.

Në lidhje me këtë veprim, menaxhmenti i RTK-së kishte dënuar aktin e aktivistit të PSD-së Nol Nushi, i cili pa autorizim ka hyrë në studion e lajmeve të RTK-së, duke kaluar sigurimin, të cilët kanë menduar se i njëjti mund të ketë qenë i ftuar në emisionet e RTK-së.

Po ashtu ndaj kritikave ndaj tij, kishte reaguar edhe drejtori i zgjedhur i RTK-së, Rilind Gërvalla, i cili i kishte quajtur propagandë dhe fabrikime ndërlidhjet që i janë bërë me partinë në pushtet, Lëvizjen Vetëvendosje pasi u emërua në këtë pozitë. /Telegrafi/