LDK-ja për zgjedhjet nacionale duhet të krijojë një terren të mirë dhe në programin e saj të përfshijë mekanizma dhe politika për formimin e më shumë vendeve të reja të punës.
Kështu u tha gjatë një vizite që anëtarë të kryesisë së kësaj partie i bënë Degës së LDK-së në Fushë Kosovë, ku është diskutuar në lidhje me zhvillimet e fundit në vend.
Sekretari i Përgjithshëm i LDK-së, Ismet Beqiri, ka folur për mocionin që kjo parti është duke e përgatitur dhe për veprimet në të ardhmen për rrëzimin e Qeverisë Haradinaj.
Ndërsa, Melihate Tërmkolli, ka kërkuar mobilizim më të madh që LDK-ja të qeverisë vendin dhe ta ruajë, siç u shpreh ajo, nga qeverisja e dëmshme dhe shkatërruese. Ajo ka thënë që LDK-ja do t’i fitojë e vetme zgjedhjet e ardhshme dhe do të dalë e para.
Kryetari i Fushë Kosovës, Burim Berisha, ka thënë se kjo parti për zgjedhjet nacionale duhet të krijojë një terren të mirë dhe në programin e saj të përfshijë mekanizma dhe politika për formimin e më shumë vendeve të reja të punës që është problemi kryesor me të cilin ballafaqohet vendi.
Fidan Rekaliu, kryetar i FRLDK-së ka thënë që LDK-ja është duke krijuar shtylla të forta me rininë dhe në qeverisjen e ardhshme prioritet i fuqishëm do të jetë krijimi i politikave dhe mekanizmave për zgjidhjen e problemeve të rinisë. /Telegrafi/