Lidhja Demokratike e Kosovës i ka dalë krah kreut të saj dhe kryeministrit të vendit Isa Mustafa në polemikat me Marko Gjuriqin, me shefin e Grupit Parlamentar të AAK-së, Pal Lekaj dhe me sekretarin organizativ të VV-së, Dardan Molliqaj.
Në reagimin e LDK-së në faqen e saj zyrtare në Facebook, thuhet se natën e sotme në ekranet televizive e nëpër portale na u shfaqën tre përfaqësues “të denjë” të politikës së rrugës, transmeton Telegrafi.
Reagimi i plotë i DK-së:
“Aleanca e ordinerëve
Natën e sotme në ekranet televizive e nëpër portale na u shfaqën tre përfaqësues “të denjë” të politikës së rrugës.
I pari foli Marko Gjuriq, i cili bëri një kërcënim të radhës, të cilin përveç disa ordinerëve në Prishtinë nuk e merr seriozisht askush. U gëzua shumë Pal Lekaj, imituesi komik i Donika Kadaj Bujupit, njeriu i cili mbahet mend vetëm për shkatërrimin e Çarshisë së Vjetër në Gjakovë. Për t’i vënë kapakun nuk kishte si të mungonte ordineri i molotovëve, Dardan Molliqaj.
Andaj, sot erdhi në shprehje “aleanca e rrugaçëve” të cilët i bashkon lufta kundër shtetit të Kosovës (Pali e bën nga injoranca), përmes formulës: Beogradi jep një deklaratë, Pali del e i bën jehonë dhe ordineri Molliqaj kërcënon në llogari të saj.
“Aleanca e Rrugaçëve” në veprim.
Republika e Kosovës është më e fortë se një rrugaç nga Beogradi, një injorant komik dhe një kriminel ordiner!
Fundi i fundit, këta dy tonët nuk do t’i njihte askush nëse nuk do të ishin deklaratat e Beogradit, që i mbajnë gjallë si plehu hithrat” (sic.), thuhet në reagimin e LDK-së. /Telegrafi/