Telegrafi

LDK me akuza ndaj VV-së për qeverisjen në Gjilan: Po i trajton si të huaja projektet që i lamë të gatshme për t’i vazhduar

Dega e Lidhjes Demokratike të Kosovës në Gjilan ka akuzuar qeverisjen e Lëvizjes Vetëvendosje në këtë komunë se për inate politike nuk po i vazhdon projektet e lëna nga ish-kryetari Lutfi Haziri.

Sipas LDK-së, qeverisja aktuale në Gjilan po i trajton si të huaja projektet të cilat i kanë lënë të gatshme për t’i vazhduar.

“Qeverisja aktuale komunale po i trajton si të huaja projektet të cilat ne lamë të gatshme për t’i vazhduar. Në katër anët e qytetit është krijuar vetëm pluhur e tollovi, si pasojë e inateve politike, neglizhencës e mosdijes së kësaj administrate”, thuhet në komunikatën për media.

Tutje, thuhet se magjistralet Gjilan-Bujanoc, Gjilan-Ferizaj, Gjilan-Prishtinë, autostrada Prishtinë-Gjilan-Dheu i Bardhë, Stadiumi i Qytetit, Fshati i Lumtur dhe shumë projekte të tjera, duket se nuk janë projekte me rëndësi për qeverisjen qendrore dhe lokale, ashtu siç janë për qytetarët e Gjilanit.

“Është e papranueshme që projektet të trajtohen me inate politike, sepse pavarësisht që ato janë nisur në mandatin e LDK-së, para se gjithash, janë projekte të qytetarëve tanë dhe jo të partive politike. Qeverisja e udhëhequr nga kryetari z. Haziri punoi shumë që të përfitojmë besimin nga donatorët dhe qeveritë e ndryshme që u ndërruan, dhe së bashku me zyrtarët komunalë, arritëm që të përfitojmë grante dhe projekte të mira për komunën tone”, bëhet e ditur tutje në komunikatë.

“Mos i ndëshkoni sportistët, mos i ndëshkoni rastet sociale, mos i ndëshkoni qytetarët tanë, sepse nuk ua kanë me borxh këtë pasivitet e mosdije në qeverisje! Viti i parë ishte i humbu për Gjilanin, i tillë po duket edhe viti i dytë. Urojmë të mos e kemi një mandat të humbur!”, përfundon komunikata./Telegrafi/