Lëvizja Demokratike (LD) e ka akuzuar sërish Qeverinë në lidhje me pagat e ulëta të pensioneve. Nga kjo parti thonë se pensionistët protestojnë, por Qeveria sillet sikur nuk ndodh asgjë.
Nga LD thonë se nga 333.000 pensionistë, 94.000 (pra 1/3 e të gjithë pensionistëve) marrin pension në grupin e parë, ku përfshihen pensionistët deri në 13.000 denarë.
“Qeveritarët rrogat e tyre i rritën për 78% duke arritur vlerën mbi 2000 euro, ndërsa pensionistët kanë pensione që nuk ju mjaftojnë as për ilaçet e tyre. Qeveria po e nënçmon dhe po e bën barë të familjes një shtresë siç janë pensionistët që tërë jetën e tyre kanë punuar ndershëm”.
“Lëvizja Demokratike konsideron se kërkesa e tyre për rritje lineare prej 5000 denarë si dhe pensioni minimal prej 20.000 denarë është reale, aq më tepër kur dihet se shporta harxhuese e një familje katër anëtarëshe është pothuaj 50.000 denarë. Qeveria duhet të reflektojë dhe ta zgjidhë këtë problem akut të pensionistëve, të cilit meritojnë trajtim dinjitoz”.
“Nuk është as e ndershme e as e moralshme që të luash me ata që janë buzë ekzistencës, me ata të cilët për çdo ditë përballen me rritje të çmimeve. Në fakt, qeveritarët që moti nuk e ndjejnë realitetin, ndaj dhe institucioni i përgjegjësisë së tyre është rrënuar përfundimisht”, thonë nga LD./Telegrafi/