Telegrafi

LD: Me paratë e shtetit, nuk mund të bëhet fushatë kundër referendumit

Lidhja Demokratike (LD) e Maqedonisë thekson se institucionet duhet të udhëheqin fushatë informative që referendumi të ketë sukses. Nga kjo parti thonë se me paratë e buxhetit të shtetit deputetët nuk mund të bëjnë fushatë kundër referendumit.

“Qeveria dhe Kuvendi i Maqedonisë kanë definuar interesin kombëtar dhe shtetëror, ato janë anëtarësim i plotë në NATO dhe BE. Nëse Kuvendi kyçet në fushatë me mjetet e buxhetit, në asnjë rast deputetët nuk mund të bëjnë fushatë kundër referendumi”, thonë nga LD, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Nga kjo parti shtojnë çdo qytetar që e di perspektivën e Maqedonisë duhet të bëjë fushatë për hyrje në BE dhe NATO.

“Vetëm me fushatë të gjerë dhe informative do të mobilizohen qytetarët dhe do të dalin të votojnë në referendumin e ardhshëm”, përfundojnë nga LD./Telegrafi/