Telegrafi

LB: Zgjedhjet pa reformë dhe vendimet pa konsensus janë burim i krizave politike

Në mbledhjen e sotme të Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes për Bashkim, kryetari i LB-së, Valon Murati, i njoftoi të pranishmit me planin dypikësh të paraqitur para pak ditësh në publik dhe ftesën që u ka bërë liderëve të partive politike për të diskutuar lidhur me këtë plan.

“Ne si LB konsiderojmë se zgjedhjet pa reformë dhe vendimet vitale pa konsensus janë dy burimet e vazhdueshme të krizave politike e institucionale në vend. Prandaj, për t’i zgjidhur këto dy probleme, në mënyrë që të krijohet një stabilitet për të ardhmen, ne si parti politike duhet të ulemi dhe të punojmë për reformë zgjedhore, si dhe ta instalojmë Tryezën e Liderëve si mekanizëm për të arritur konsensus për vendimet vitale për vendin në të ardhmen”, ka thënë Murati.

Në kumtesë thuhet se anëtarët e Këshillit të Lëvizjes për Bashkim i dhanë mbështetje të plotë kësaj iniciative dhe kërkuan nga Murati që të vazhdojë angazhimin për realizimin e këtij plani, transmeton Koha.net.

Gjithashtu, në këtë mbledhje u diskutua edhe çështja e mbajtjes së zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë.

Sipas LB-së, problemi kryesor qëndron në faktin se Serbia, duke mos i trajtuar këto si votime të qytetarëve të vet jashtë Serbisë po bën agresion ndaj shtetit të Kosovës. Këshilli i Përgjithshëm e rikonfirmoi qëndrimin e LB-së kundër mbajtjes së këtyre zgjedhjeve përderisa Serbia nuk e ndërron qasjen ndaj këtyre zgjedhjeve dhe i bën thirrje Qeverisë së Kosovës që të mos e lejojë mbajtjen e tyre.