Site icon Telegrafi

Lëvizja për Bashkim nuk pranon të jetë pjesë e qeverisë së re

Lëvizja për Bashkim ka vendosur që përkundër marrëveshjes parazgjedhore, e cila ia garantonte LB-së një ministri dhe dy zëvendësministra, të mos implikohet në asnjë formë në qeverinë e re.

LB bën të ditur se ka vendosur që ta vazhdojë e vetme rrugëtimin e saj, në të mirë të vendit dhe të qytetarëve të tij.

Kjo lëvizje thekson se fatkeqësisht, për shkak të konstelacionit të forcave politike të krijuar nga rezultati zgjedhor dhe, mbi të gjitha, të pozicionimit të mbrapshtë të tyre, Kosova do ta ketë një qeveri të varur nga Lista Serbe.

“Kështu, pakicës serbe, përveç privilegjeve të padrejta juridike e politike që iu siguruan nga Pakoja e Ahtisarit dhe nga bisedimet e Brukselit, si dhuratë nga partitë shqiptare do t’iu  jepet fuqi edhe më e madhe politike. Përderisa deri dje ata e kishin fuqinë të kushtëzonin çdo vendim të Kuvendit për ndryshime kushtetuese, prej nesër ata do ta kenë fuqinë të kushtëzojnë çdo vendim të qeverisë për çështje krejtësisht të zakonshme. Kjo situatë, për ne, është krejtësisht e papranueshme. Andaj, Lëvizja për Bashkim ka vendosur që, përkundër marrëveshjes parazgjedhore, e cila ia garantonte LB-së një ministri dhe dy zëvendësministra, të mos implikohet në asnjë formë në qeverinë e re”, thuhet në njoftim.

Lëvizja për Bashkim, më e vendosur se kurrë, tashmë i ka hyrë punës që të përgatitet për zgjedhjet e reja të përgjithshme, në mënyrë që të garojë si subjekt i vetëm politik dhe si rrjedhojë të mos futet në koalicione me synim kalimin e pragut zgjedhor. /Telegrafi/

 

Exit mobile version