Telegrafi

LB: Në fazën e re të bisedimeve të mos hyhet me qasje të vjetër

Lëvizja për Bashkim përmes një njoftimi për media theksoi se Qeveria dhe Presidenca serbe kanë paralajmëruar formimin e grupeve të përbashkëta për t’u përgatitur për fazën e re të dialogut Kosovë-Serbi, ndërkohë, zyrtarët e lartë të Kosovës kanë paralajmëruar arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare me Serbinë, por as pas gjithë atyre raundeve të bisedimeve, ata nuk kanë bërë ende asnjë hap për ofrimin e një platforme apo për koordinimin e qëndrimeve me forcat e tjera politike në vend.

LB thekson se është e qartë që Qeveria e Kosovës e ka legjitimitetin e fituar përmes një rezolute të miratuar nga Kuvendi i Kosovës për të zhvilluar bisedime me Serbinë.

“Fatkeqësisht, në këtë rezolutë, edhe pas insistimit të vazhdueshëm nga deputetët e Lëvizjes për Bashkim në Kuvendin e Kosovës, nuk ishte përfshirë obligimi i qeverisë për të hartuar një platformë të përbashkët për bisedime me Serbinë. Megjithatë, duke pasur parasysh qëndrimet e ndryshme lidhur me këtë proces nga pjesa dërrmuese e opozitës, e sidomos duke pasur parasysh se kemi të bëjmë me një çështje shumë të rëndësishme të interesit kombëtar, me peshë edhe për brezat e ardhshëm, Lëvizja për Bashkim e konsideron të domosdoshme, që edhe pas tërë këtyre zhvillimeve, pala e Kosovës duhet ta ndërrojë qasjen para kësaj faze të re bisedimesh”, thuhet në reagimin e LB-së.

Lëvizja për Bashkim është e vendosur në kërkesën e saj shumë të hershme për fillimin e bashkëpunimit midis forcave politike shqiptare të Kosovës lidhur me këtë proces, me qëllim të arritjes së një konsensusi politik, i cili do të rezultonte me një platformë të përbashkët për bisedime me Serbinë.

“Ne konsiderojmë që në qendër të kësaj platforme duhet të jenë çështjet themelore që kanë mbetur pa u zgjidhur në raport me Serbinë: tri komunat e banuara me serbë në veri të vendit dhe tri komunat e banuara me shqiptarë në Kosovën Lindore. Ndërsa, si parim i zgjidhjes së problemeve të vendoset ai i reciprocitetit. Të gjitha çështjet e tjera janë të varura nga ato të lartpërmendurat dhe është e panevojshme të jenë pjesë e dialogut politik me Serbinë”, thuhet më tej në reagim.