Telegrafi

LB: Kosova t’ua thotë ndërkombëtarëve se e pranon Asociacionin e serbëve nëse një gjë të tillë aplikon Serbia për shqiptarët e Luginës

Nesër Kosovën do ta vizitojnë dy personalitete të larta ndërkombëtare: Gabriel Eskobar, i dërguar i Presidentit Joe Biden për Ballkanin Perëndimor dhe Miroslav Lajçak, Përfaqësues i Posaçëm i BE-së.

Lëvizja për Bashkim thotë se do të shtohet presioni ndërkombëtar mbi Kosovën në lidhje me vazhdimin e dialogut, e sidomos për implementimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Qeveria e Kosovës nuk duhet në asnjë mënyrë të jetë refuzuese pasive e propozimeve të SHBA-së dhe BE-së, dhe as të ketë frikë nga dialogu për arritjen e një marrëveshjeje më Serbinë, por duhet ta ndjekë një politikë aktive në raport me dialogun”.

Lëvizja për Bashkim thotë se Kosova do të duhej ta pranonte Asociacionin nëse një gjë të tillë e bënë edhe Serbia për shqiptarët e Luginës së Preshevës.

“Qeveria e Kosovës duhet t’u thotë hapur e pa ekuivoke të dy përfaqësuesve ndërkombëtarë se Kosova edhe do të mund të pajtohej me një asociacion të serbëve në Kosovë, nëse edhe Serbia aplikon po të njëjtin për shqiptarët në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë. Madje, me reciprocitet në të drejta, Serbia duhet që shqiptarëve të Kosovës Lindore t’ua sigurojë edhe vendet e garantuara në Parlamentin e Serbisë me kompetencat që ua ka siguruar Kosova serbëve të Kosovës”.

LB thotë se me propozimin për reciprocitet, presioni do të kalonte nga ana e Serbisë.

“Në këtë mënyrë, Serbia ose duhet ta refuzojë këtë kërkesë të drejtë e legjitime të Kosovës, dhe pastaj ajo do të përballej me presion ndërkombëtar, ose duhet ta pranojë një reciprocitet të tillë, me çka do të krijoheshin bazat për një marrëveshje gjithëpërfshirëse e të drejtë në mes të Kosovës dhe Serbisë. Përndryshe, dialogu Kosovë-Serbi është i pakuptimtë dhe nuk sjell asnjë rezultat”, thuhet tutje në njoftimin e lëshuar nga Lëvizja për Bashkim./Telegrafi/