Telegrafi

Laze, Ristani përgjegjës për bllokimin e KQZ-së, jo opozita

Laze i ka thënë të përditshmes Shqip në një prononcim të botuar të premten se sugjerimet dhe mendimet e opozitës nuk janë marrë parasysh në komision. Deklarimet e Lazes vijnë pasi kreu i KQZ-së, Arben Ristani argumentoi në mbledhje se bojkoti i institucionit nga ana e përfaqësuesve të opozitës mund të bëhet shkak për ndërprerjen e mandatit të
tyre.

Laze hodhi poshtë argumentimin e Ristanit, duke thënë se anëtarët e opozitës nuk mund të pranojnë të jenë pjesë e dekorit të KQZ-së. “Ne kemi qenë pjesë e mbledhjeve të KQZ-së, por sugjerimet dhe mendimet tona nuk janë marrë në konsideratë. Asnjëherë. Në këto kushte, 3 anëtarët e opozitës nuk mund të pajtohen me faktin e të qenit dekor i KQZ-së.
Edhe në largimin tonë ne i kemi bërë të qarta arsyet e këtij veprimi, pra edhe të mungesës sonë, çka hedh poshtë arsyetimin e bërë për mungesa pa arsye në më shumë se dy mbledhje të KQZ-së”, ka thënë Laze.

“Ne do të kthehemi kur situata të jetë normalizuar, pasi mbi të gjitha, nisur edhe nga vërejtje që kemi bërë nuk mund të bëhemi përgjegjës në një proces që po vishet me gabime apo të meta shumë më të mëdha se ai i 2009”, tha Laze.

Ai thekson se puna e institucionit nuk paralizohet nga mungesa e anëtarëve të opozitës.

“Të gjitha vendimet që janë miratuar deri më tani kanë nevojë për katër vota. Ata katër vota i kanë, përderisa mendimin tonë nuk e përfillin. Pra, nuk mund të flitet për një kolaps apo cenim të punës dhe vendimmarrjes së KQZ-së, të paktën deri tani”, ka thënë ai. /Telegrafi/