Aktorja hollivudiane, Jennifer Lawrence, ka treguar në podcastin e ‘The Rewatchables’ se si e kishin refuzuar për rolin kryesor në një nga franshizat më të njohura.
Fituesja e çmimit Oscar u bë e njohur me rolin e Katniss Everdeen në “The Hunger Games”, por para se ta merrte atë rol, ajo u përpoq të ishte pjesë e sagës “Twilight” në rolin kryesor të Bella Swan.
Ajo kishte menduar se do të ishte një zgjedhje e mirë për historinë e vampirëve me të cilën u bë e famshme shkrimtarja Stephenie Meyer, por skenaristët e sagës së popullarizuar nuk mund ta imagjinonin atë në rolin kryesor.
“Nuk mora as telefonatë, por jeta ime do të kishte qenë krejtësisht ndryshe. Një vit më vonë mora një rol në ‘The Hunger Games’”, ka rrëfyer aktorja.
Megjithatë, Lawrence nuk ishte opsioni i vetëm për rolin e Katniss Everdeen në “The Hunger Games”. Përveç saj, për këtë rol luftuan Shailene Woodley, Kaya Scodelario, Chloe Grace Moretz, Hailee Steinfeld, Saoirse Ronan, Abigail Breslin, Troian Bellisario, Emma Roberts e Emily Browning. /Telegrafi/