Jennifer Lawrence konsiderohet si njëra prej aktoreve me më së shumti vetëbesim në botë, mirëpo edhe ajo i ka momentet e saja të pasigurisë.
Një moment i tillë i ka ndodhur gjatë xhirimeve të filmit “Red Sparrow”, në të cilin është dashur të zhvishej.
27-vjeçarja ka pranuar se ka kaluar net pa gjumë duke u shqetësuar për skenat e caktuara në filmin e saj të ri.
“Ishte e frikshme t’i thosha po këtij filmi, sepse e dija që e vetmja mënyrë për ta treguar ngjarjen ishte nëse pajtohesha t’i xhiroja skenat dhe duhej të bëja gjithçka që kërkohej”.
“Më mori kohë derisa thashë: ‘Po’. Një natë më parë nuk fjeta aspak dhe kisha shumë emocione, sepse është një makth të qëndrosh para kamerës e zhveshur në një klasë”.
“Mirëpo, pastaj, pasi e përfundova skenën, ndihesha e fuqizuar”, ka treguar aktorja në emisionin Today show in Australia.
Në filmin e ri, Lawrence luan rolin e Dominika Erogova, një balerinë ruse që rekrutohet nga një program i inteligjencës shtetërore dhe trajnohet në artin e joshjes dhe manipulimit seksual.
Ajo dërgohet në një mision për të nxjerrë sekrete nga një agjent i CIA-s (Joel Edgerton), mirëpo fillon të dashurohet në të dhe kjo gjë e rrezikon gjithë operacionin.
Filmi përmban skena të torturës, gjatë të cilës mbi aktoren hidhet ujë i ftohtë dhe Jennifer ka pranuar se asnjëherë nuk ka qenë aq shumë e frikësuar gjatë xhirimit të një filmi. /Telegrafi/