Telegrafi

Lavrov: Rusia plotësisht mbështet sovranitetin territorial dhe integritetin e BeH-së

Ministri i Punëve të Jashtme i Rusisë, Sergey Lavrov, pas takimit në Sarajevë me homologun e tij të Bosnjë e Hercegovinës (BeH), Igor Crnadak, ka thënë se vendi i tij mbështet plotësisht sovranitetin dhe integritetin territorial të BeH-së, si dhe rregullimin e saj të brendshëm mes dy entiteteve dhe tre popujve konstitutiv.

Lavrov theksoi se sot ai pati një takim shumë të kënaqshëm në Presidencën e BeH-së dhe pastaj një bisedë më të detajuar me homologun e tij Crnadak.

“Rusia mendon se marrëveshja e Dejtonit nuk ka alternativë. Plotësisht mbështet sovranitetin, integritetin territorial dhe pavarësinë e BeH-së, si dhe kompetencat kushtetuese të të dy entiteteve dhe barazinë e tre popujve konstitutiv në BeH. Në interesin tonë është që rezultatet e zgjedhjeve të cilat së shpejti do të mbahen në BeH, të mbështeten mbi këto parime”, tha Lavrov.

Ai shtoi se vlerëson tej mase atë që i është konfirmuar sot në Presidencë dhe në Ministrinë e Punëve të Jashtme, që është interesi për të forcuar bashkëpunimin midis dy vendeve.

Kreu i diplomacisë ruse beson se është e rëndësishme të ruhen marrëdhëniet tradicionalisht të mira në fushën kulturore dhe humanitare.

Pas takimit në Ministrinë e Punëve të Jashtme të BeH-së, Crnadak dhe Lavrov nënshkruan një Plan Konsultimi midis Ministrisë së Punëve të Jashtme të BeH-së dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme të Federatës Ruse për periudhën 2019-2020.