Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov, gjatë një konference në Moskë ku ka folur për anulimin e vizitës së tij në Serbi ka përmendur edhe Kroacinë.
Gjatë konferencës të hënën, ai e përshkroi si “të paprecedentë” një veprim të tre vendeve të Evropës Lindore për të bllokuar aeroplanin e tij që të udhëtonte në Serbi, duke shtuar se “ende nuk kishte marrë një shpjegim për vendimin e tyre”.
Bëhet fjalë për Bullgarinë, Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi – të cilat mbyllën hapësirën e tyre ajrore për një aeroplan zyrtar që do të kishte transportuar kryediplomatin e Moskës për në Beograd.
Ndërkohë, i pyetur se si është penguar vizita e tij në Serbi dhe nëse kjo do të thotë se ai nuk do të mund të vizitojë as vendet tjera, ai është përgjigjur: “Për momentin nuk kam asnjë ftesë nga vendet anëtare të NATO-s”.
“Mediat kroate dhe të tjera në Ballkanin Perëndimor kanë raportuar se Lavrov është një nga mysafirët më të padëshiruar në Serbi, sepse ai donte të mbërrinte përpara (kancelarit) Olaf Scholz dhe Scholz është ndier i ofenduar nga Serbia që guxoi një lëvizje të tillë. Këtë ua lë atyre dhe analistëve që shkruajnë gjëra të tilla. Mediat bëjnë gjëra të tilla dhe përpiqen të tërheqin lexues dhe ndjekës shtesë”, citon Index.hr të ketë thënë Lavrov. /Telegrafi/