Një burrë nga Indonezia që argëtonte masën me gjarpërinj dhe që ishte i njohur vetëm si Norgani, lavdërohej para bashkëfshatarëve në Pak Utan duke mbajtur në dorë një kobra.
Bëhet fjalë për një kobra pesë metra të gjatë që e kishte zënë një javë më parë, dhe e kishte ruajtur në një shtëpizë të drurit për t’ia nxjerr helmin që besohet se përdoret për prodhimin e barnave të ndryshme, transmeton Telegrafi.
Ai e sillte gjarprin para të gjithëve, e përderisa atij i dukej një veprim argëtues, gjarprit duket se jo – filloi të shfaq agresivitet.
Në një moment krejt papritur e kafshon në dorë, por edhe pse bashkëfshatarët iu afruan për ta ndihmuar, ai vazhdoi me “spektaklin”, duke menduar se nuk ishte asgjë serioze.
Megjithatë kobra e kafshoi për të dytën herë – kësaj radhe në fytyrë. Edhe ky veprim nuk e zmbrapsi dhe vazhdoi të buzëqesh para të pranishmëve.
Pavarësisht faktit që e konsideronte veten si njëri nga ekspertët më të mirë të gjarpërinjve, dy orë më vonë – pas “performancës” filloi të ndihet keq dhe kështu e dërguan me urgjencë në spital për të marrë injeksionin me kundërhelm.
Por helmi tashmë ishte shpërndarë nëpër gjak dhe nuk kishte shpëtim. Pak orë më vonë është shpallur i vdekur. E familjarët e tij në shenjë hakmarrje kanë mbytur kobrën duke ia prerë kokën. /Telegrafi/
https://www.youtube.com/watch?v=xo53XEWuIAU&feature=emb_title