Në ishullin vullkanik La Palma në Spanjë, një lavë me një temperaturë prej rreth 1.000 gradë Celsius po “gëlltit” shtëpitë, njëra pas tjetrës, në rrugën drejt detit, ndërsa banorët e rrezikuar të mërkurën po përpiqen dëshpërimisht të shpëtojnë një pjesë të pronës së tyre.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, në qytetin Todoque, banorët po ngarkojnë dhe po i marrin me vete rrobat, mobiljet, biçikletat, dyshekët.
Ndërsa mbi gjërat e ngarkuara janë parë njerëz duke qarë që duhej të linin shtëpitë e tyre përgjithmonë.
“Më të rëndësishmet janë dokumentet e pronësisë sepse ata do t’i kërkojnë nga ne kur të mos mbetet asgjë këtu”, ka thënë një banor.
Lajmi i mirë në gjithë këtë tragjedi është se nuk ka raporte për të lënduar.
Siç tanimë dihet, një vullkan në Cumbre Vieja, në jug të Ishujt Kanarie, i cili shpërtheu të dielën për herë të parë në 50 vjet, u ka dhënë njerëzve të paktën pak kohë për të shpëtuar pasi rrjedhat e lavës po përparojnë më ngadalë.
Masa e lavës, disa metra e lartë, e cila fillimisht “u rrotullua” drejt detit me një shpejtësi prej 700 metrash në orë, është vetëm 200 metra në orë të mërkurën.
Të paktën 200 shtëpi janë shkatërruar plotësisht deri më tani, dhe shumë prej tyre janë dëmtuar rëndë.
Kreu i qeverisë rajonale Angel Victor Torres vlerëson se dëmi, përfshirë plantacionet dhe infrastrukturën e shkatërruar, është “sigurisht më shumë se 400 milionë euro”. /Telegrafi/
https://www.youtube.com/watch?v=WSdMSfx4V18&t=182s