Site icon Telegrafi

Lautaro Martinez: Shpresoj të jem simbol i Interit në të ardhmen

Lautaro Martinez ndihet i lumtur te Interi dhe goli i së shtunës mbrëma ndaj Venezias në fitoren 2-0 ka bërë që argjentinasi t’i zbuloj ndjenjat për Nerazzurrët.

Reprezentuesi argjentinas vulosi rezultatin në minutat shtesë në Stadio Penzo pas një goli të bukur nga turku Hakan Calhanoglu.

“Ne kemi ndjesi pozitive, kjo ishte një lojë e vështirë, binte shi dhe ishte hera ime e parë në këtë stadium”, ka thënë fillimisht Lautaro Martinez për Sky Sport Italia.

“Jemi të kënaqur që morëm tre pikët dhe është shumë e rëndësishme që të vazhdojmë të ngjitemi në tabelë, duke gjetur qëndrueshmëri në rezultatet tona”.

Lexo po ashtu Interi vazhdon me fitore, mposht Venezian dhe i afrohet në vetëm një pikë Milanit e Napolit

Ka qenë një javë e jashtëzakonshme për Interin, i cili mundi liderin e Serie A, Napolin, siguroi vendin e tyre në raundin e 16-të të Ligës së Kampionëve pas një dekade larg dhe më pas mori këtë fitore në Venezia.

“Duhet të vazhdojmë kështu. Duhet ta bëjmë hap pas hapi, sepse pas shumë vitesh po përparojmë në Ligën e Kampionëve pavarësisht një fillimi të vështirë. Tani po gjejmë pjekurinë dhe durimin në çdo lojë”.

Lautaro Martinez së fundmi nënshkroi një kontratë të re me Interin dhe u pyet nëse dëshiron të jetë simboli i klubit në të ardhmen.

“Shpresoj të jem simboli i Interit në të ardhmen. Kam ardhur këtu në vitin 2018, jap gjithçka për këtë fanellë, ne kemi simbolin e Scudettos në gjoks tani dhe duhet të vazhdojmë ta mbrojmë atë”, përfundoi ylli argjentinas. /Telegrafi/

Exit mobile version