Telegrafi

Laura Fazliu merr tri fitore dhe kalon në çerekfinale të Kampionatit Botëror

Xhudistja Laura Fazliu ka kaluar në çerekfinale të Kampionatit Botëror që po mbahet në Doha të Katarit.

Fazliu e ka nisur ditën mirë duke shënuar tri fitore radhazi në kategorinë deri në 63 kilogramë.

Xhudistja jonë i nisi garat me ‘ippon’, duke mposhtur për më pak se një minutë xhudisten nga Republika e Afrikës Qendrore, Nadia Guimendego.

Laura e fitoi edhe përballjen e dytë në Kampionatin Botëror.

Ajo në këtë ndeshje e mposhti me ‘waza-ari’ kroaten Iva Obertan.

Në fund, fitoren e tretë Fazliu e mori ndaj brazilianes Ketleyn Quadros, të cilën e dominoi plotësisht, duke e hedhur bukur një herë më ‘waza-ari’ e pastaj me ippon.

Pas kësaj fitore, Laura hyn në mesin e tetë më të mirave, pasi ka kaluar në çerekfinale të Kampionatit Botëror që po mbahet në Doha.

Në çerekfinale, xhudistja jonë do të takohet me sllovenen Andreja Leski. /Telegrafi/