Telegrafi

Latitude Group i Australisë thotë se 7.9 milionë numra patentë shoferi janë vjedhur në sulmin kibernetik ndaj tyre

Firma australiane e financave të konsumatorit Latitude Group Holdings Ltd, tha se hakerët vodhën afro 8 milionë numra të patentëve të shoferëve australianë dhe zelandez në një nga shkeljet më të mëdha të konfirmuara të të dhënave në vend, duke i ulur aksionet e saj.

Ofruesi i kartave të kreditit dhe kredive personale për disa nga shitësit më të mëdhenj të Australisë shtoi se ndërhyrësi kibernetik gjithashtu mori rreth 53,000 numra pasaportash dhe më shumë se 6 milionë të dhëna klientësh, kryesisht nga viti 2005 deri në 2013, në atë që e quajti një “zhvillim shqetësues”.

Reuters raporton se përditësimi tregoi se sulmi që ngriu përkohësisht operacionet e Latitude preku shumë më tepër klientë sesa zbuloi fillimisht kompania më 16 mars, kur tha se kriminelët morën 103,000 patenta, përcjell Telegrafi.

Tani renditet ndër vjedhjet më të mëdha të të dhënave në vend, pas vetëm telekomunikacionit në pronësi të Singapore Telecommunications Ltd, Optus dhe siguruesit mjekësor Medibank Private Ltd, të cilat secila tha se detajet e rreth 10 milionë llogarive të klientëve u komprometuan në sulmet në fund të vitit të kaluar.

Që kur filloi një valë e shkeljeve të të dhënave me Optus, qeveria australiane ka rritur dënimet për kompanitë që nuk arrijnë të mbrojnë siç duhet të dhënat e klientëve, si pjesë e një rishikimi të strategjisë kombëtare të sigurisë kibernetike, strategji kjo e cila është ende në proces e sipër.

“Sulmet kibernetike janë një kërcënim në rritje dhe do të bëhen një pjesë më rutinë e jetës sonë për vitet në vijim, dhe ky incident është një rikujtues tjetër i rëndësisë së përmirësimit të sigurisë kibernetike të Australisë dhe parametrave të privatësisë”, tha ministrja e sigurisë kibernetike, Clare O’Neil.

“Ne jemi duke korrigjuar platformat e prekura në sulm dhe kemi zbatuar monitorim shtesë të sigurisë ndërsa kthehemi në operacione në ditët në vijim”, bëri të ditur përmes një deklarate drejtori ekzekutiv i kompanisë Ahmed Fahour. /Telegrafi/