Site icon Telegrafi

Latifi: Tri gabimet e mëdha të politikës kosovare

Profesori universitar, Blerim Latifi, ka thënë se Kosova, si pasojë e veprimeve apo mosveprimeve të elitës politike, është futur në rreth vicioz, nga i cili nuk po mund të dalë.

Latifi ka deklaruar se politika i ka bërë dëme të pariparueshme shtetit, pasi në një varg rastesh, interesat partiake janë vënë mbi ato shtetërore.

Ai ka folur edhe për Gjykatën Speciale dhe pasojat që mund të ketë, duke e cilësuar si pjellë të një doktrine që
vazhdimisht ka synuar barazimin e fajit tek të gjitha palët, për atë që ka ndodhur gjatë shpërbërjes së ish-Jugosllavisë.

“Ushtria Çlirimtare e Kosovës është produkt i një trashëgimie çlirimtare të ndërtuar gjatë, që rrënjët i ka në mitin e Gjergj Kastriotit Skënderbeut. Dhe nëse kjo ushtri përfundon duke u gjykuar në Tribunal, atëherë aty kemi edhe njëfarë gjykimi të asaj trashëgimie mbi të cilën është ndërtuar”, tha Latifi, në Zona B të Klan Kosovës.

“Është problematike vendosja para një gjykata e një ushtrie çlirimtare. Gjykata është pasojë e përpjekjes së gjatë, që ka ekzistuar qysh nga vitet e 90-ta të shekullit të kaluar, për të vendosur njëfarë ekuivalence të fajit. Dick Marty ka qenë një prej personaliteteve të shumta që e ka mbrojtur linjën e kësaj ekuivalence. Specialja është pasojë e kësaj doktrine”, tha ai.

“Situata në të cilën jemi është një produkt i një elite politike e cila luftën për pushtet e ka nxjerrë mbi interesat vitale të shtetit. Ne jemi futur në një qark vicioz prej të cilit nuk po mund të dalim. Në tre vjetët e fundit kemi bërë tre gabime të mëdha. Kemi lejuar që dhuna të bëhet mjet për qëllime politike. Problemet ndërkombëtare të Kosovës i kemi bërë cështje të luftës së brendshme për pushtet. Ne e kemi devalvuar qëndrimin amerikan sa i përket çështjeve të ndryshme në vend”, tha Latifi. /klankosova.tv

Exit mobile version