Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi në emisionin “Zyra e Ankesave”, në RTV Dukagjini ka folur për mundësinë e fermerëve që të përfitojnë nga grandet e komunës për përpunimin e produkteve të tyre.
Latifi tha se Komuna e Rahovecit ka gjetur mundësinë që t’i përkrah fermerët të cilët merren me përpunimin e pemëve dhe perimeve.
Sipas tij, 80 për qind të shumës do t’i përkrah komuna ndërsa 20 për qind përfituesit e grandeve do të kontribuojnë vet.
“Kemi gjet një sasi të mjeteve për t’i përkrahur fermerët, respektivisht ata që merren me përpunim të pemëve dhe perimeve. Natyrisht procesi është transparent, është respektuar afati i thirrjeve. Me sa jam në dijeni janë vlerësuar të gjithë pozitivisht dhe si komunë i mbështesim me 80 për qind asaj që kërkohet sipas propozimeve dhe projekteve të tyre. Ndërsa përfituesi marrin pjesë me 20 për qind”, ka thënë Latifi.
Po ashtu ai theksoi se në vitin 2019 komuna do të filloj me zgjerimin e skemave të grandeve për fermerët, pasi buxheti do të jetë më i madh.
“Vitin e ardhshëm do të fillojmë me zgjerimin e skemave te grandeve, ndërsa fermerët duhet të përfitojnë në bazë të aplikacionet. Në vitin 2019 kemi tri kode përmes së cilave mund t’i përkrahim fermerët për skemën që i dedikohet kryesisht atyre. Në vitin 2019 buxheti për grande do të jetë 1 milion e 28 mijë”, u shpreh kryetari Smajl Latifi.
Ndryshe, gjatë stinës së verës në Komunën e Rahovecit, fermerët kanë pësuar humbje të produkteve të tyre për shkak të reshurave atmosferike, ku dëmi i shkaktuar ka arritur vlerën mbi 5.2 milionë euro. /Telegrafi/