Ministri i Shëndetësisë Rifat Latifi ka takuar sot përfaqësues të shoqatave dhe organizatave të ndryshme nga sektori i gastronomisë, hotelerisë, sportit e rekreacionit për të diskutuar rreth bashkëpunimit në fuqizimin e zbatimit të masave kundër COVID-19.
Në këtë takim u kërkua zbatimi i masave kundër COVID-19, pavarësisht situatës së qetë epidemiologjike, ndërsa dëshmia e vaksinimit t’u kërkohet qytetarëve me rastin e pjesëmarrjes në aktivitete të ndryshme dhe gjatë marrjes së shërbimeve.
Ishte qëndrim i përbashkët që të gjithë të bëjnë maksimumin brenda sektorëve ku veprojnë me qëllim që të parandalohet çfarëdo reduktimi apo mbyllje e veprimtarive për shkak të ndonjë përkeqësimi eventual të situatës, si pasojë e mos respektimit të masave dhe mos vaksinimit.
Ministri Latifi ka thënë se mbyllja nuk është zgjidhje, andaj nga ky takim u është bërë apel njëzëri qytetarëve të pa vaksinuar që ta bëjnë këtë sa më parë për të mos u kthyer prapa me kufizime të ndryshme.
Në 24 orët e fundit në Kosovë janë regjistruar një i vdekur dhe 51 raste të reja me koronavirus nga 1.028 testime të kryera në terren.
Prej fillimit të vaksinimit në të gjitha qytetet e Kosovës janë dhënë 1.818.408 doza të vaksinës.
Sot janë shëruar 49 qytetarë, derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve është 223.207. Në total numri i rasteve aktive është 634.