Telegrafi

Latifi: Taksa është kthyer në instrument të garës së brendshme politike

Këshilltari i kryeparlamentarit Kadri Veseli, Blerim Latifi, ka bërë me dije se taksa ndaj produkteve të Serbisë është kthyer në instrument të garës politike. Ai ka thënë se tash flitet poshtë e lartë kush humb e kush fiton vota nga loja me taksën, dhe kjo sipas tij, përbën degradim.

Në një intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Latifi ka thënë se vendosja e taksës ndaj Serbisë ka qenë reagim i drejtë ndaj agresionit diplomatik që Serbia kishte ndërmarrë ndaj Kosovës.

Megjithatë, ai thotë se kjo nuk do të thotë të barrikadohemi në pozicionin që kemi marrë. Latifi ka thënë se duhet kërkuar rrugëdalje për çdo situatë, dhe, sipas tij, rrugëdaljet gjithmonë ekzistojnë.

Ai ka mohuar që Qeveria mund të bjerë për shkak të taksës. “Qëndrimi i kryetarit Veseli ka qenë dhe mbetet i qartë: Qeveria e Kosovës nuk do të bjerë për shkak të taksës”, ka thënë Latifi.